Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra ka pritur në takim Kryetarin e Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqtarin Afrim Shala dhe ekspertin nga USAID, John Ferry. Pjesë…
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, znj. Shpresa Emra ka pritur në takim Kryetarin e Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqtarin Afrim Shala dhe ekspertin nga USAID, John Ferry.
Pjesë e takimit dhe bashkëbisedimit ishin edhe mbikëqyrësit e degëve Suharekë Gjyqtari Selajdin Gallapeni, dhe Dragash, Gjyqtari Refki Piraj, si dhe Gjyqtarë nga të gjitha departamentet dhe divizionet.
Kryetarja Emra, fillimisht paraqiti gjendjen me lëndët që janë në punë në Gjykatën Themelore në Prizren dhe degët Suharekë & Dragash, si dhe theksoi se gjyqtarët janë të përkushtuar që të zbatojnë planin në fjalë, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.
Ndërsa Kryetar i Komisionit, Afrim Shala, njoftoi se KGJK-ja, ka formuar komisionin prej pesë (5) gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, i cili komision do të skanoj gjendjen me lëndët në Gjykatat e Kosovës, dhe se do të bëhet monitorimi, vlerësimi dhe raportim në trajtimin e numrit të madh të lëndëve që hyjnë në kuadrin e lëndëve me prioritet të lartë, sigurimin e procedurës së drejtë gjyqësore, si dhe përcaktimi i kritereve të prioritizimit të natyrës së caktuar të lëndëve.
Eksperti nga USAID, John Ferry, tha se është i lumtur për këtë iniciativë dhe e gëzon fakti që ky Komision përbëhet nga vendorët dhe me iniciativë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025, si dhe sfidat që rrjedhin nga ky Plan Strategjik.