Prizren, 11 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më…
Prizren, 11 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 08.04.2021, ndaj të pandehurit R.S., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit R.S., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Medatë 9 mars, në orët e mbrëmjes në pikën kufitare në Vërmicë, i pandehuri R.S., me t’u afruar te sporteli i kontrollit policor, pasi ia dorëzon dokumentet zyrtarit policor, në lejen e qarkullimit të automjetit e kishte future një kartëmonedhë prej 20 € (njëzet eurosh) dhe i pandehuri i drejtohet zyrtarit policor me fjalët ‘’këto të holla i kam lënë për ju, për qejf, për të pirë një kafe dhe për të më mundësuar ta kalojë kufirin meqë ndërrimi paraprak policor më ka refuzuar hyrjen’’, me ç’ rast i pandehuri R.S., ndalohet nga policia ku edhe i është sekuestruar përkohësisht kartëmonedha në shumën prej 20 € (njëzet eurosh).
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke u bazuar në provat e mbledhura deri në këtë fazë siç është deklarimi i të pandehurit i cili i ka pranuar veprimet e tij, si dhe duke pasur parasysh dënueshmërinë e kësaj vepre penale si dhe faktin se i pandehuri nuk ka vendbanim as vendqëndrim në Republikën e Kosovës, i njëjti është shtetas i Republikës së Shqipërisë, prandaj nëse i njëjti lihet në liri apo me ndonjë masë më të butë se sa caktimi i paraburgimit i pandehuri mund të ik apo të largohet nga Kosova.
Nga të lartë cekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është më e domosdoshme dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale, dhe caktimi i çfarëdo mase tjetër më të butë nuk do të arrinte efektin e duhur ngase i pandehuri është shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe se në Republikën e Kosovës nuk ka vendbanim apo vendqëndrim të caktuar.