Caktohet masa e paraburgimit ndaj një (1) të pandehuri, në raport me procedurën e ekstradimit

Caktohet masa e paraburgimit ndaj një (1) të pandehuri, në raport me procedurën e ekstradimit

Prizren, 08 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit – në raport me procedurën e ekstradimit, kundër të pandehurit I.T., nga Republika e Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale; vrasje…

Prizren, 08 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit – në raport me procedurën e ekstradimit, kundër të pandehurit I.T., nga Republika e Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale; vrasje me paramendim; mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit; grupi i strukturuar kriminal; dhe vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të parapara me nenet 78,28/4, 278,333/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, këto vepra të parapara edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, respektivisht neni 173, 336, 277 të KPRK-së.

Gjyqtari i  procedurës paraprake– Artan Sejrani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit – në raport me procedurën e ekstradimit, kundër të pandehurit I.T., e ka aprovuar si të bazuar, konform Neni 21 dhe 22 të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, dhe konform dispozitave të KPPRK-së , të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dyzet (40) ditë,  ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 06.12.2020 deri me datën 14.01.2021.

Gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore, paraprakisht ka konstatuar konform Neni 5 par. 2 të Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar,  se i kërkuari I.T., nuk e gëzon statusin e azilit politik në Republikën e Kosovës dhe nuk është shtetas i huaj që gëzon imunitet nga ndjekja penale, dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, i cili dyshim rezulton nga provat të cilat janë bashkangjitur në shkresat e lëndës, andaj janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 21 dhe 22 të Ligjit mbi Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtar, për caktimin e paraburgimit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse ekziston rreziku i ikjes apo shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i pandehuri I.T., është i paarritshëm për organet e ndjekjes në Republikën e Shqipërisë, dhe ndaj tij është lëshuar urdhër arrestim, prandaj po të qëndroi në liri do të vështirësojë rrjedhën  e procedurës së ekstradimit, pasi që i njëjti nuk ka vendbanim dhe as vendqëndrim në Republikën e Kosovës, për faktin se është shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe lehtas mund të shmanget apo të ik në vend të panjohur për organet e ndjekjes penale, ashtu që do të pengohet rrjedha normale e procedurës.

Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale, dhe në procedurën e ekstradimit, konform Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

###