Prizren, 04 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit…
Prizren, 04 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës 06/L-074 (KPRK) dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës 06/L-074 (KPRK)
Gjyqtarja e procedurës paraprake– Teuta Krusha, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M., e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 03.12.2020 deri me datën 03.01.2021.
Gjyqtarja e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet, dhe kjo rrjedh nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit D.M., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprave penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri D.M., me datë 23.11.2020 rreth orës 13:53 minuta, për shkak të mosmarrëveshjes me të dëmtuarin, me armë zjarri – pistoletën e markës e llojit “Ekol Special 99”, shtënë në drejtim të dëmtuarit S.K., dhe shkakton plagë të rëndë në pjesën e epërme të këmbës.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Andaj në bazë të kësaj, Gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm sepse me qëndrimin në liri të të pandehurit, i njëjti mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, duke marrë parasysh faktin se pas kryerjes së veprës penale i pandehuri është fshehur dhe prezenca e tij në këtë procedurë është siguruar pas disa javëve në mënyrë të dhunshme nga ana e zyrtarëve policor, dhe duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, sepse i njëjti është i njohur për organet e ndjekjes pasi që pranë kësaj gjykate është gjykuar me aktgjykim të plotfuqishëm, kjo e arsyeton dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tij në liri i pandehuri mund të përfundoj apo të përsëris vepra penale të kësaj natyre.
Po ashtu sipas Gjykatës ekzistojnë arsye për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit D.M., sepse hetimet në këtë çështje sapo kanë filluar, do të merren në pyetje i dëmtuari dhe dëshmitarët nga vendi i ngjarjes, si dhe në rrjedhën e mëtejmë do të mblidhen edhe prova të tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale, andaj nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë tek i dëmtuari dhe dëshmitarët të cilët ende nuk janë marrë në pyetje, me çka do të pengonte rrjedhën normale të kësaj procedure penale, prandaj qëndrimi i të pandehurit nën masën e paraburgimit është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë zë procedurës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale, dhe se masat tjera janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.
###