Prizren, 15 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 11.03.2021 dhe mund të zgjasë deri…
Prizren, 15 mars 2021 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 11.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.04.2021, ndaj të pandehurve:
- B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikimi i parasë nga neni 296 par.2 të Kodit Penal të Kosovës, dhe
- D.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer tri vepra penale falsifikimi i parasë nga neni 296 par.2 të Kodit Penal të Kosovës,
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve B.K., dhe D.G., kavlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Me datat 7 dhe 8 mars, i pandehuri D.G., duke e ditur që paratë janë të falsifikuara, i vë në qarkullim në tre raste, kartëmonedhat prej pesëqind (500) euro, (në atë mënyrë që paraprakisht merren vesh me të pandehurin B.K.,) ashtu që fillimisht i pandehuri D.G., i lë paratë në një vend të caktuar, e më pas shkon i pandehuri B.K., dhe pasi i merr paratë e falsifikuara i vë në qarkullim në lokacione të ndryshme duke i kërkuar të dëmtuarve që paratë e falsifikuara ti këmbej me bankënota më të vogla, dhe pasi të dëmtuarit i kryejnë këtë shërbim më pas i pandehuri B.K., këto para i kthen tek i pandehuri D.G., në vendin e njëjtë ku i kishte marrë paratë e falsifikuara, dhe për këtë shërbim i pandehuri B.K., fiton njëqind (100) euro,
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse procedura penale është në fazën fillestare dhe do të dëgjohen të pandehurit, i dëmtuari si dhe dëshmitarë të tjerë eventual, gjithashtu duke pasur parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrës së rëndë, mënyrën dhe rrethanat në të cilët është kryer kjo vepër penale, si dhe ka rrezik se nëse të njëjtit lihen në liri do të vazhdojnë të kryejnë këtë vepër penale sidomos kur marrin parasysh faktin se i pandehuri D.G., dyshohet se i ka kryer tri vepra penale të kësaj natyre brenda dy ditëve, po ashtu edhe në rrethin ku jetojnë të pandehurit lënia e tyre në liri në këtë fazë të procedurës penale do të kishte ndikim negativ si dhe shqetësim për qytetarët për shkak të pasojave që mund të shkaktohen me këto vepra penale
Andaj, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale si dhe parandalimit të përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale apo edhe ikjes ose fshehjes së të pandehurve.