PRIZREN – 26.08.2019 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, ndaj të pandehurit me iniciale S.TH. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhuna në familje nga…
PRIZREN – 26.08.2019 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, ndaj të pandehurit me iniciale S.TH. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhuna në familje nga neni 248 par.1, 2 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës (KPK-së). Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 23.08.2019, nga ora 20:30 minuta, dhe do të zgjasë deri më datën 23.09.2019.
Sepse me datë 23.08.2019, rreth orës 12:00, në Prizren në rrugën “Hysen Morina”, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që në vazhdimësi sa herë që vjen nga bota e jashtme – Zvicra ku i pandehuri punon dhe jeton, e keqtrajton fizikisht, ndërsa më datën 23.08.2019, derisa e dëmtuara ka kërkuar që të mos dëbohet nga shtëpia me qëllim që të jetë pranë fëmijëve, me atë rast i pandehuri e shtynë frigoriferin e vendosur në shtëpinë e tyre me qëllim që ta godas të dëmtuarën, me të cilat të dëmtuarës i shkakton dhunë fizike, psikike dhe ekonomike me arsyetim se i pandehuri dhe e dëmtuara kanë shkëputur bashkësinë martesore, e me këtë janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 187 par.1 nën par.1.1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK-së) për caktimin e masës së paraburgimit, kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.