PRIZREN- Gjyqtari i Procedurës Paraprake – Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurit me iniciale S.H. nga fshati Maqellare e Republikës së Shqipërisë, tani me vendbanim në Prishtinë i caktohet masa e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par.2 të KP-së, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren.
Masa e paraburgimit do të llogaritet në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji i cili do të llogaritet prej datës 29.06.2016 ora 21:00 dhe do të zgjasë deri me datën 29.07.2016.
I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal , sepse gjatë kontrollit nga Policia Kufitare – Vija e Gjelbër në fshatin Vlashnje me auto – taksin të cilin e voziste U.G. me rastin e kontrollit në çantën e të dyshuarit S.H. është gjetur substanca narkotike e llojit marihuanë në sasi prej 611,56 gr. e cila ka qenë në pesë paketime të mbështjella me shirit ngjitës, e të cilat kanë qenë të destinuara për shitje dhe shpërndarje.