Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit nga Republika e Shqipërisë

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit nga Republika e Shqipërisë

PRIZREN- Gjyqtari i Procedurës  Paraprake – Departamenti  i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurit me iniciale S.H. nga fshati  Maqellare  e Republikës së Shqipërisë, tani me vendbanim në Prishtinë  i caktohet masa e paraburgimit  për  shkak të dyshimit të bazuar se   ka kryer veprën  penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par.2 të KP-së, duke  vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren.

Masa e paraburgimit  do të  llogaritet në kohëzgjatje prej  1 (një) muaji i cili do të llogaritet prej datës 29.06.2016  ora 21:00 dhe do të zgjasë   deri me datën 29.07.2016.

I  pandehuri  dyshohet  për shkelje të Kodit Penal ,  sepse gjatë kontrollit  nga Policia Kufitare – Vija e Gjelbër në fshatin Vlashnje me auto – taksin të cilin e voziste U.G. me rastin e kontrollit në çantën e të dyshuarit S.H. është gjetur substanca narkotike e llojit marihuanë në sasi prej 611,56 gr. e cila ka qenë në pesë paketime të mbështjella me shirit ngjitës, e të cilat kanë qenë të destinuara për shitje dhe shpërndarje.