Një muaj paraburgim për të dyshuarin nga Prizreni
PRIZREN- Gjyqtari i Procedurës Paraprake – Departamenti i Përgjithshëm Penal i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurit me iniciale F.B. nga Prizreni, i caktohet masa e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë nga neni 327 par.1. nënpar.1.1 e lidhur me nenin 31 të KP-së, vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren-Departamenti i Përgjithshëm Penal .
Masa e paraburgimit do të llogaritet në kohëzgjatje prej 30/tridhjetë ditëve prej datës 03.04.2016 ora 22:00 dhe do të zgjasë deri me datën 02.05.2016.
I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal , se me datën 20.03.2016, gjatë orëve të natës, në Prizren në rrugën Remzi Ademi në lokalin ,,N Mobil,, pronë e të dëmtuarit me iniciale N.S, në bashkëveprim me të pandehurin B.T. dhe të miturit L.L. dhe E.XH. ia marrin pasurinë e luajtshme tjetrit me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete në atë mënyrë shfrytëzojnë mos prezencën e personave, gjatë kohës së natës ,duke e përdorur forcën hynë brenda në lokal dhe marrin sende me vlerë, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material. I pandehuri me iniciale F.B. është i njohur për organet e ndjekjes.