Thirrje për Aplikim

Thirrje për Aplikim

Për punë praktike tre mujore në Zyrën për Informim Publik të Gjykatës Themelore të Prizrenit

 

GJYKATA THEMELORE NË PRIZREN                UNIVERSITETI I PRIZRENIT                OJQ EC MA NDRYSHE

“UKSHIN HOTI”

 

 

 

4 Mars 2016, Prizren

 

PROGRAMI I PRAKTIKANTËVE PËR MARRËDHËNIET PUBLIKE NË GJYKATËN THEMELORE TË PRIZRENIT

 

 

 

THIRRJE PËR APLIKIM

Për punë praktike tre mujore në Zyrën për Informim Publik të Gjykatës Themelore të Prizrenit

 

 

 

Gjykata Themelore e Prizrenit, Universiteti i Prizrenit  “Ukshin  Hoti” dhe OJQ  EC Ma Ndryshe kanë themeluar  Programin  e  Praktikantëve  për  Marrëdhëniet  Publike  për  t’i  ofruar  ndihmë  Zyrës  për Informim Publik të Gjykatës Themelore të Prizrenit. Partnerët nënshkrues të dokumentit të bashkëpunimit për realizimin e këtij Programi kanë kënaqësinë që të shpallin thirrjen e parë për aplikim për studentët e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

 

Programi i praktikantëve është i hapur për studentët e Universitetit të Prizrenit (të gjitha drejtimet) të interesuar për të marrë njohuri dhe përvoja të reja dhe kontribuuar në punën e Gjykatës Themelore të Prizrenit. Në zbatimin e Programit të praktikantëve do të angazhohen: Gjykata Themelore e Prizrenit – Zyra për Informim Publik, Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe organizata EC Ma Ndryshe.

 

 

 

Përshkrimi i punës praktike

Praktikantët e zgjedhur do të asistojnë në punën e Zyrës për Informim Publik të Gjykatës Themelore të

Prizrenit dhe gjatë tre muajve të angazhimit, ata do të jenë pjesë e këtyre veprimeve:

–     përpilimi dhe publikimi i buletinit informativ të Gjykatës,

–     monitorimi i mediave,

–     mirëmbajtja e faqeve të medias sociale (Facebook, Twitter, etj.),

–     përpilimi i materialeve informative të Gjykatës,

–     përkthimi i materialeve,

–     organizimi i ngjarjeve publike të Gjykatës dhe veprime të tjera që do të caktohen nga Zyrtari për

Informim i Gjykatës dhe stafi mbikëqyrës në EC Ma Ndryshe.

 

Gjatë  angazhimit  të  tyre,  praktikantët  do  të  mbikëqyren  nga  stafi  i  EC  Ma  Ndryshe  dhe  Zyra  për

Informim Publik e Gjykatës.

 

 

 

Kohëzgjatja e praktikës

Një cikël i punës praktike zgjat tre muaj dhe me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj shtesë. Për secilin

cikël tre-mujor të punës praktike do të përzgjedhen një ose dy studentë të Universitetit të Prizrenit. Pas përfundimit të programit për marrëdhëniet publike, praktikantët do të pajisen me dëshmi përkatëse, për pjesëmarrje në këtë program.

 

 

 

Zyrat dhe orari i praktikës

Praktikantët do të jenë të vendosur në zyret e EC Ma Ndryshe në Prizren dhe do të kenë vizita të rregullta në zyret e Gjykatës Themelore të Prizrenit. Praktikantët do të punojnë me orar të përgjysmuar, çdo ditë pune deri në katër orë në ditë.

 

 

 

Kriteret minimale

Për t’u kualifikuar për programin e praktikantëve për marrëdhëniet publike, kandidati ideal duhet t’i

ketë këto kualifikime:

–     Aftësi të mira shkrimi në gjuhën shqipe,

–     Njohuri solide mbi sistemin gjyqësor të Kosovës,

–     Aftësi të mira komunikimi dhe ndër-personale,

–     Njohje sodile të fushës së marrëdhënieve publike,

–     Njohja e gjuhëve të tjera lokale të Prizrenit dhe e gjuhës angleze është përparësi,

–     Shkathtësi në përdorimin e programeve kompjuterike dhe mediave sociale,

–     Qasje kreative për krijimin e produkteve dhe mjeteve të reja të komunikimit me publikun,

 

 

 

Aplikoni

Për të aplikuar, ju lutem dërgoni CV-në tuaj dhe plotësoni formën e aplikimit që gjendet në web-faqen e organizatës www.ecmandryshe.org, brenda linkut Konkurs. Formën e plotësuar duhet të dërgoni në adresën info@ecmandryshe.org, me subject “Aplikim për Programin e Praktikës”. Shqyrtimin e aplikacioneve do të bëj një panel i përbashkët mes tri palëve të përfshira, ndërsa mund të parashihen edhe intervista me aplikantë. Afati i fundit për aplikim është deri më 20 Mars 2016.