Një (1) muaj paraburgim për të dyshuarin nga Prizreni

Një (1) muaj paraburgim për të dyshuarin nga Prizreni

PRIZREN – 17.04.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale T.P. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 par.1 të KPRK-së, dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK-së. Masa e paraburgimit prej një (1) muaji do të llogaritet nga koha e arrestimit prej datës 15.04.2018, nga ora 10:30, e cila do të zgjasë deri me datën 15.05.2018.

Se i pandehuri me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e vrasjes, por vepra nuk është kryer ose elementet e saj nuk janë realizuar, në atë mënyre që me datën 15.04.2018, rrethe orës 10:30 minuta, derisa fqinji i tij me iniciale A.R., në rrugën e njëjtë para dyerve të oborrit të shtëpisë së tij, ishte duke e rregulluar rrugën dhe ky i pakënaqur me këto veprime të viktimës dhe për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me pronën, me një pushkë gjysmë automatike në distancë rrethe 20-25 metra, shkrep në drejtim të viktimës duke e goditur në këmbën e djathtë , e pastaj kur donë të shkrep edhe një herë në drejtim të tij i bllokohet arma gjegjëse e zjarrit, me ç’rast menjëherë hynë në shtëpinë e tij, ndërsa viktima nga frika dhe për të shpëtuar hynë i plagosur në oborrin e tij, ku në ndërkohë me të arritur policia në vend të ngjarjes me shpejtësi dërgohet për intervenim mjekësor në Qendrën Emergjente në Spitalin Regjional në Prizren. Andaj duke e pasur parasysh raportet e vazhdueshme të acaruara ndërmjet palëve, pasi që të njëjtit edhe më herët kanë qenë të përfshirë në konflikt, në mes të viktimës dhe prindërve të viktimës të cilët i ka fqinjë për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, në anën tjetër vendosmërinë e të pandehurit për të kryer këtë vepër penale, po ashtu edhe sjelljen e tij në ditën kritike, kjo e arsyeton dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tij në liri i pandehuri mund ta përsëris veprën penale apo edhe ta përfundojë veprën e mbetur në tentativë, ku mund të shkaktohen pasoja edhe më të mëdha, andaj në këto rrethana caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i bazuar me ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroj zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurit.