Një (1)muaj caktohet masa e paraburgimit

Një (1)muaj caktohet masa e paraburgimit

PRIZREN – 28.03.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurve me iniciale B.K. nga Peja ,D.L. nga Komuna e Zubin Potok, dhe S.G. nga Mitrovica, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale trafikimi me njerëz nga neni 171 par.2 në lidhje me nenin 31 të KPRK-së, e cila masë do të llogaritet prej datës 26.03.2018, prej orës 22:00 dhe do të zgjasë deri më datën 25.04.2018.

Sepse me datën 26.03.2018, rrethe orës 22:00 në Prizren, të pandehurit e lartcekur marrin pjesë në trafikimin e njerëzve në atë mënyrë që duke drejtuar automjetin të cilën e drejtonte i dyshuari me iniciale B.K., ndërsa si bashkudhëtar të automjetit kanë qenë të pandehurit me iniciale S.G. dhe D.L. e së bashku me ta ka qenë edhe e mitura me iniciale D.S. për të cilën është vërtetuar se është shtetase e R. Shqipërisë dhe se të njëjtën e kanë rekrutuar, transportuar me forma të ndryshme të mashtrimit, respektivisht të keqpërdorimit të pozitës së ndjeshme pasi që e njëjta është e moshës së mitur, me ç’rast kanë bërë kalimin e kufirit të Vërmicës dhe se më pas me intervistimin e saj e njëjta me vete ka poseduar një certifikatë me të cilën ka pranuar se e ka kaluar kufirin pa autorizimin e prindërve.

Andaj duke e pasur parasysh peshën dhe natyrën e veprës penale dhe pasojat të cilat i ka kjo vepër penale, mënyra dhe rrethanat nën të cilat është kryer ky veprim kundërligjor, duke shfrytëzuar të dëmtuarën – miturën- kundër vullnetit të prindërve të saj, rrezikshmëria shoqërore e kësaj vepre, e cila ka ndikim negativ për shoqërinë dhe pasoja të rënda që mund ti sjellin viktimës së rastit, pasi që kemi të bëjmë me viktimën e ndjeshme, e këto janë arsye që tregojnë rrezikun se të njëjtit lehtë mund ta përsërisin veprën penale dhe shqetësimi i cili ekziston në opinion në lidhje me këto vepra penale, sipas konstatimit të gjykatës edhe nga kjo bazë është plotësuar kushti për caktimin e masës së paraburgimit.