Një (1) muaj paraburgim për të dyshuarin nga fshati Buqe – Komuna e Dragashit

Një (1) muaj paraburgim për të dyshuarin nga fshati Buqe – Komuna e Dragashit

PRIZREN – 30.01.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaj të pandehurit me iniciale K.B. nga fshati Buqe – Komuna e Dragashit, e cila masë do të llogaritet prej kohës së arrestimit prej datës 29.01.2018 nga ora 14:30 minuta dhe do të zgjasë deri më datën 28.02.2018, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale kanosje nga neni 185 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së, në kuptim të nenit 187 par.1 nën par.1.1 e 1.2 pika 1.2.2 e 1.2.3 të KPPK.

Sepse i pandehuri me iniciale K.B. me datën 29.01.2018, rrethë orës 13.00, në Gjykatën Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm Penal, pikërisht në zyrën nr.208, seriozisht e kanosë personin zyrtar me fjalë, vepra apo gjeste në lidhje me punën apo me pozitën e tij, në atë mënyrë që në një seancë gjyqësore në cilësinë e të akuzuarit, gjatë tërë seancës i është kanosur të dëmtuarit gjyqtarit me iniciale L.B. me fjalët ”nëse unë shpallem fajtor ti do të kesh punë me mua” po ashtu edhe në prezencën e zyrtarëve policorë i është kanosë të njëjtit me fjalët kërcënuese “ unë dhe ti do të shihemi përsëri, ti ke punë me mua” , me ç’rast me këto veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth dhe frikë si dhe ia ka rrezikuar sigurinë personale.