Një (1)muaj paraburgim për të dyshuarin nga Suhareka

Një (1)muaj paraburgim për të dyshuarin nga Suhareka

PRIZREN – 26.10.2017 – Gjykata Themelore e Prizrenit, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit  prej një (1) muaj të pandehurit me iniciale SH.K. nga Suhareka e cila masë do të llogaritet prej datës së arrestimit 24.10.2017, nga  ora 19:00, dhe do të zgjasë deri më datën 23.11.2017.

I pandehuri me inicialet e lartë përmendura  dyshohet  se me datën 24.10.2017 rreth orës 17:00, në Suharekë në shtëpinë familjare të XH.K. , tenton ta privoj nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që nxjerr nga xhepi i jaknes armën – pistoletën “Blow mini model” ,  fillimisht loz me këtë pistoletë duke e drejtuar nga dëshmitari XH.K. dhe e dëmtuara me iniciale L.K. , e pastaj duke tentuar ta pastrojë pistoletën të cilën e kishte të drejtuar në drejtim të dëmtuarës, përndryshe vajza e dajës e të pandehurit, shkrep nga pistoleta, me ç’rast  me një predhe e godet të dëmtuarën duke i shkaktuar plagë të rrezikshme për jetë në momentin e shkaktueshmërisë.

Me këtë veprim i pandehuri  dyshohet se ka  kryer veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë nga neni 178 e lidhur me nenin 28 të  KPRK-së.

Deri me datën 24 10.2017 i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët të Republikës së Kosovës, ka mbajtur në pronësi dhe në posedim armën së bashku me pesë (5) fishek e për mbajtjen e të cilave nuk ka pasur autorizim nga organi kompetent.

Me këtë veprim  i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontrolle  ose posedim të paautorizuar të armëve nga nenin 374 par.1 i KPRK-së.