Një muaj paraburgim dhe arrest shtëpiak për të dyshuarit nga Prizreni

Një muaj paraburgim dhe arrest shtëpiak për të dyshuarit nga Prizreni

PRIZREN – 23.10.2017 – Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën Prokurorisë Themelore ne Prizren, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaj të pandehurit me iniciale A.B.  e cila masë do të llogaritet prej datës së arrestimit 20.10.2017, nga ora 14:00, dhe do të zgjasë deri më datën 20.11.2017.

Ndaj të pandehurit të dytë me iniciale E.H. caktohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji e cila llogaritet prej datës së arrestimit 20.10.2017 prej orës 14:00 dhe do të zgjasë deri më datën 20.11.2017.

Të pandehurit me inicialet e lartë përmendura  dyshohen  se me datën 20.10.2017 rreth orës 14:00 në Prizren është vërtetuar se pa autorizim blenë ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca të cilat me ligj janë të shpallura si narkotik, në atë mënyrë që me kontrollimin paraprak të lokalit “Euro lloto” ku punon i pandehuri me iniciale A.B. është gjetur substancë narkotike edhe atë shtatë paketime në qese plastike me substancë të dyshuar për narkotik të llojit marihuan në peshe prej 572.55 gram, dy paketime me substancë pluhur ngjyrë e bardhë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokaine në peshë prej 1.2 gram, një peshore digjitale për matjen e substancave të imta,  dy telefona celular dhe para në shumën  prej 799.60 euro, të cilat janë konfiskuar nga ana e policisë. Me këtë  të pandehurit kanë vepruar në dëm të vlerave të shoqërisë e cila mbron jetën e njerëzve e sidomos shëndetin e të rinjve.

 Me këtë veprim të pandehurit  dyshohen se kanë  kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope  dhe analoge nga neni 273 par. 1 lidhur me nenin 31 të  KPRK-së.