Gjykata Themelore e Prizrenit shpall aktgjykim dënues

Gjykata Themelore e Prizrenit shpall aktgjykim dënues

PRIZREN, 24 prill 2017 – Gjykata Themelore e Prizrenit  ka bërë shpalljen e aktgjykimit pas pranimit të fajësisë në mënyrë vullnetare nga vet i akuzuari me iniciale I.T. nga fshati Gançar Komuna e Prizrenit  dhe e ka shpallur fajtor për veprat penale  të mashtrimit në bashkëkryerje nga neni 261 par.1 e 2 të KPK-së dhe i shqiptoi dënim me gjobë: Për veprën penale si në dispozitivin  nën 6 të aktakuzës, në shumën prej gjashtëqind (600,00) euro dhe për veprën penale si në dispozitivin nën 8 të aktakuzës në shumën prej shtatëqind (700,00) euro, si dhe i shqiptoi dënimin me burg për veprën penale si në dispozitivin nën 11 të aktakuzës në kohëzgjatje prej një (1) viti si dhe për veprën penale si në dispozitivin nën 14 të aktakuzës në kohëzgjatje prej një (1) viti.

Gjykata në kuptim të nenit 80 par.1 e 2 pika 2.2 të akuzuarit i shqiptoi dënim UNIK dhe atë me dënim me gjobë në shumën prej njëmijë e treqindë (1.300,00) euro si dhe dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej një (1) viti e dhjetë (10) muaj burgim, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sepse me datën 11.06.2009 dhe 16.12.2009 në bashkëveprim me të tjerët dhe pas marrëveshjes paraprake në mes tyre, me qëllim që ti sjellin vetes dobi pasurore mashtrojnë personin tjetër duke i sjell të njëjtit, në lajthim me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me këtë e shtyjnë të njëjtin të veproj në dëm të pasurisë së tyre – të paraqitet në cilësinë e blerësit, në atë mënyrë që i pandehuri me iniciale Sh.A. dhe I.T.si pasojë e një premtimi që nuk e kishin përmbushur ndaj këtu të dëmtuarit rrethe shitjes së një palujtshmërie, dhe në pamundësi të rregullimit të dokumentacionit për atë pronë, i ofrojnë të pandehurit me iniciale A.V. në cilësi të shitësit si pronar e të drejtë prone në bazë të kontratës Leg.nr.2055/09 të datës 08.04.2009, kontratë kjo e legalizuar në bazë të autorizimit të falsifikuara Vr.nr.121/09 të datës 23.03.2009 dhe me këtë rast objektin e kësaj kontrate ia tjetërson këtu të dëmtuarit në bazë të kontratave të legalizuara pran Gjykatës Komunale-Prizren Leg.nr.3517/09 të datës 11.06.2009 dhe leg.nr.9598/09 të datës 17.12.2009 duke e ditur se e drejta në pronë që ka disponuar i pandehuri A.V. ka ardhur si rrjedhojë e autorizimit të falsifikuar, në raport me të dëmtuarin paraqitet se ka autorizim për shitjen e palujtshmërisë e cila ka qenë objekt i kontratës Leg.nr.5037/09 duke ia prezantuar autorizimin Vr.nr.335/09 të datës 17.07.2009, të dhënë kinse nga pala me iniciale S.T. i cili autorizim ka qenë i falsifikuar.