Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj dy të pandehurve nga Mamusha

Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj dy të pandehurve nga Mamusha

 PRIZREN- Gjyqtari  i  Procedurës  Paraprake – Departamenti  i Krimeve të rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit  vendosi që ndaj të pandehurve   me iniciale  Y.M.   nga Mamusha, për  shkak të dyshimit të bazuar se  ka  kryer veprën  penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni  422 par.1 të KP-së dhe i pandehuri  i dytë me iniciale N.K. nga Mamusha  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve nga neni 398 par.2 të KP-së,  iu caktohet  masa e arrestit shtëpiak

Masa e arrestit shtëpiak   do të  llogaritet në kohëzgjatje prej  30/tridhjetë  ditëve prej datës 09.11.2016 nga ora 11:00 dhe do të zgjasë  deri me datën 09.12.2016.

Të   pandehurit  dyshohen  për shkelje të Kodit Penal ,  se në kohën e pacaktuar i pandehuri me iniciale Y.M. në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi  dhe Kadastër duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër, duke aplikuar për nxjerrjen e listave poseduese në emër të qytetarëve me iniciale S.M dhe I.M. , i cili fakt është vërtetuar në kopjen e librit për regjistrim dhe pasi këto lista poseduese janë marr nga referenti i  Drejtorisë së Kadastrit të njëjtat janë ndryshuar nga ana e të pandehurit me iniciale Y.M. dhe janë nënshkruar nga ana e tij ku më pas të njëjtat janë vërtetuar nga ana e zyrtarëve kompetent. Po ashtu i pandehuri i dytë me iniciale N.K. ka aplikuar pranë Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Mamushës për nxjerrjen e listave poseduese për tetë  persona e të cilat më pas i ka ndryshuar në bashkëpunim me Drejtorin e Shërbimeve Publike pranë Komunës së Mamushës.