PRIZREN- Gjyqtari i Procedurës Paraprake – Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurit me iniciale Xh.B. nga Prizreni, i caktohet masa e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale fajdeja nga neni 343 par.2. lidhur me parag.1 të KP-së, dhe të detyrimit nga neni 340 par.2 lidhur me parag 1 të KP-së, vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren-Departamenti i Krimeve të Rënda .
Masa e paraburgimit do të llogaritet në kohëzgjatje prej 30/tridhjetë ditëve prej datës 10.05.2016 ora 17:00 dhe do të zgjasë deri me datën 09.06.2016.
I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal , sepse prej muajit Janar të vitit 2015, e deri me 2 Maj, 2016, i pandehuri me të dëmtuarin ka kontraktuar huazimin e shumave të ndryshme financiare me kamata dukshëm jo proporcionale, ashtu që prej tij ka kërkuar dhe ka pranuar pasurinë materiale ose shuma të shumëfishta të hollave në këmbim me shumën e huazuar dhe sipas nevojës kanë përdorur edhe forcën ose kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin të kryejnë ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tij.