Komunikatë për media
PRIZREN- Gjyqtari i Procedurës Paraprake – Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurit me iniciale S.L. nga Loznica e Republikës së Serbisë, i caktohet masa e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, supstancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par.2 të KP-së.
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 16.02.2016 prej orës 20.40 minuta, dhe do të zgjasë deri me datën 15.03.2016 .
Gjyqtari i Procedurës Paraprake e miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit e cila kërkoi mbajtjen në paraburgim të pandehurit.
I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal , sepse me datën 16.02.2016 rreth orës 20.40 minuta duke kaluar kufirin ndërshtetëror Shqipëri- Kosovë, pikërisht në pikën kufitare në fshatin Vërmicë – Komuna e Prizrenit në rezervuarin e automjetit të tij të cilën e drejtonte i kishte fshehur 37 (tridhjeteshtatë) paketime të marihuanës, në qese të plastifikuara, në peshë rreth 20 kg.