PRIZREN – 05.12.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraqitjes në Stacionin Policor në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ndaj të pandehurit me iniciale V.R. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, lëndim i lehtë trupor nga neni 188 parag.1 nën parag.1.1. e cila masë do të llogaritet prej datës së arrestimit 30.11.2018, dhe do të zgjasë deri më datën 30.12.2018.
Sepse me datën 27.11.2018 dhe me datën 28.11.2018 në orë të pacaktuar në Prizren në shtëpinë e tij familjare, me dashje i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarës – bashkëshortes së tij me iniciale V.R. , në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të shkurtër rrethe tradhtisë bashkëshortore,ku vjen deri te acarimi i situatës dhe i pandehuri me iniciale V.R., e sulmon fizikisht bashkëshorten e tij duke e goditur me grusht në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkakton lëndime të lehta trupore, si pasojë e dhunës së vazhdueshme, sistematike e dëmtuara detyrohet të largohet nga shtëpia.