PRIZREN – 05.12.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale GJ.S. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, nga neni 178 lidhur me nenin 28 para.1. të KPRK-së. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës 03.12.2018 e cila do të zgjasë deri me datën 02.01.2019.
Sepse me datën 03.12 2018 rrethe orës 13.30 minuta në vendin e quajtur ,,livadhet e egra në fshatin Nashec, Komuna e Prizrenit, me pretekst se qenka ofenduar nga i dëmtuari me iniciale F.N. i cili ishte duke i kullotur lopët, i pandehuri me iniciale GJ.S., shkon në shtëpinë e tij e merr kmesën që shërben për prerjen e druve të imët, e godet dy herë me kmesë në shpinë, e pastaj mundohet me teh të kmesës ta godet në kokë, mirëpo i dëmtuari mbrohet me dorën e majtë, ku nga goditja ia pret gishtat e dorës të cilit i shkakton lëndim të rëndë trupor.