PRIZREN, 22.11. 2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit me iniciale H.P. me nofkën “Burdush” nga Prizreni për shkak të veprës penale mashtrimi nga neni 335 para.1 të KPRK-së.
Të akuzuarin me iniciale H.P. me nofkën “Burdush” , gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 (një) viti, të cilin dënim do ta vuan pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, dënimin me gjobë në shumën prej 5.000 (pesëmijë) euro, si dhe dënimin plotësues ku i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë së pavarur dhe i detyrës së caktuar në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh, duke u llogaritur nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prer.
Sepse nga data 20.06.2014 deri më 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër ose për ti shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe më këtë e nxit të dëmtuarin me iniciale Q.P., si mjek popullor, merren vesh në mes vete që i pandehuri me iniciale H.P. t’ia shëroj gruan e tij që vuante nga depresioni, në kompensim të një vlere prej 2.000 (dymijë) euro, por që pas kalimit të një kohe gruaja nuk ishte shëruar dhe si rrjedhojë të dëmtuarin e vendos në lajthitje dhe mashtrim, duke i shkaktuar dëm material.