PRIZREN – 13.09.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale M.L. dhe caktohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një(1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale R.O. që të dy nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 189 par.5 lidhur me para.2 nën par.2.1 dhe nenin 31 të KPRK-së. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 12.09.2018 nga ora 00:30 minuta dhe do të zgjasë deri më datën 11.10.2018, ndërsa masa e arrestit shtëpiak do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 12.09.2018 nga ora 00:00, dhe do të zgjasë deri më datën 11.10.2018.
Sepse me datën 11.09.2018, rrethe orës 21.20 minuta, në rrugën “Papa Gjon Pali”, në një vend publik pranë dyerve të kishës katolike “Zonja Ndihmëtare”, në Prizren, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, e ndalin e pastaj dalin nga automjeti i tyre, konkretisht i pandehuri me iniciale M.L. me mjet të prehtë në dorë, kurse i pandehuri me iniciale R.O. me një mjet të mbrehtë e godasin të dëmtuarin me iniciale K.K., të cilit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore i cili është në trajtim mjekësor, dhe është në rrezik për jetën, e në anën tjetër duke marrë parasysh raportet e tyre të acaruara familjare, karakteristikat personale të pandehurve ku nga data bazë e të dhënave të policisë rezulton se ndaj të njëjtëve janë të regjistruara një mori të veprave penale të natyrave të ndryshme, andaj caktimi i paraburgimit dhe arrestit shtëpiak ndaj tyre është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës së tyre dhe zhvillimin normal të rrjedhës së procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi palët e pakënaqur kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orëve, përmes kësaj gjykate, Gjykatës së Apelit në Prishtinë.