Prizren, qershor 2018
Punëtori për adresimin më efikas të krimeve të urrejtjes
_______________________________________________________________________________
Kuptimi dhe trajtimi i krimeve të urrejtjes, shkëmbimi i përvojave dhe identifikimi i mënyrave të bashkëpunimit ishin në qendër të diskutimit gjatë një seminari njëditor të organizuar nga ekipi i OSBE-së në Prizren në qershor 2018. Seminari ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të OSBE-së për t’u ndihmuar autoriteteve në të kuptuarit më të mirë të krimeve të motivuara nga paragjykimet.
Rreth 30 pjesëmarrës (26 burra dhe 4 gra), gjyqtarë, prokurorë, avokatë, mbrojtës të viktimave, bashkëpunëtorë profesionalë dhe pjesëmarrës të tjerë u mblodhën për të diskutuar mënyrat për identifikimin, hetimin dhe luftimin e krimeve të urrejtjes. Fjalimet e hapjes u mbajtën nga kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha; kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala; kryetari i Odës Rajonale të Avokatëve Hajrip Krasniqi; dhe Zyrtari i Lartë Ligjor pranë OSBE-së, Meriton Pajaziti, i cili njëherit moderoi këtë punëtori.
Ndonëse aktivitet njëditor, punëtoria mbuloi një gamë të gjerë temash, duke përfshirë ndjekjen penale të krimeve të urrejtjes, kornizën ligjore për trajtimin e krimeve të urrejtjes në nivel vendor dhe ndërkombëtar, duke përfshirë praktikat e Gjykatës Evropiane per të Drejtat e Njeriut dhe informacionin se si të ndiqen penalisht këto raste. Vëmendja iu kushtua edhe ndihmës së viktimave.
Në këtë drejtim, Faruk Mustafa, Zyrtar Vendor për Zhvillim të Policisë pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë, para të pranishmëve dha prezantim rreth ndjekjes penale të krimeve të urrejtjes. Prezantimi filloi me një përshkrim të shkurtër historik të temës për të vijuar më tej me hulumtimin e konceptit të krimeve të urrejtjes në mënyrë më të hollësishme, duke përfshirë karakteristikat që zakonisht mbrohen nga ligjet relevante; përdorimin e treguesve të paragjykimit për të identifikuar një rast të mundshëm të krimit të urrejtjes; veprat penale të urrejtjes dhe shkelësit; shembuj të treguesve të paragjykimit etj.
Në vijim, gjatë prezantimit të Meriton Pajazitit, përveç përmendjes së kornizës ligjore që rregullon krimin e urrejtjes ndërkombëtarisht dhe brenda vendit, Meritoni elaboroi mes tjerash dy raste të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Sheshiq kundër Kroacisë dhe Shkorjanec kundër Kroacisë), në të cilat u konstatua se autoritetet nuk përmbushën detyrimin e tyre për të hetuar, ndjekur penalisht dhe për të gjykuar krimet e bazuara në motive paragjykimi.
Gjithashtu u theksua edhe përfshirja e OSBE/ODIHR-it në këtë temë. Lidhur me këtë, u prezantua faqja e ODIHR-it (hatecrime.osce.org/) ku janë të paraqitura informacione statistikore nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, shoqërisë civile dhe organizatave ndërqeveritare rreth numrave të raportuar të krimit të urrejtjes. Nga ky prezantim pjesëmarrësit ishin në gjendje të kuptojnë se krimet në bazë të motivimit të paragjykimeve ndodhin kudo dhe mund të shohin përgjigjet përkatëse nga autoritetet përmes hetimit, ndjekjes penale dhe dënimit të këtyre krimeve.
Pjesa përfundimtare e prezantimit të Meritonit ishte Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për trajtimin e krimeve të urrejtjes nënshkruar në vitin 2018. Pas kësaj, shkurtimisht u përmendën përgjegjësitë specifike që rrjedhin nga kjo Marrëveshje, duke u nisur nga supozimi se për obligimet konkrete të cilat institucionet duhet ti ndërmarrin në lidhje me këtë marrëveshje do të konkretizohen nga institucionet përkatëse në nivel qendror. Në këtë drejtim, kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës shprehën gatishmërinë e tyre në zbatimin e këtyre përgjegjësive.
Në fund, organizimi i punëtorisë nga OSBE-ja dhe mbështetja e Gjykatës Themelore të Prizrenit bashkë me atë të Prokurorisë Themelore të Prizrenit u vlerësuan si një mundësi e shkëlqyer për diskutimet e ardhshme rreth shqetësimeve të përbashkëta në fushën e drejtësisë.
Prizren
qershor 2018