PRIZREN – 16.02.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji të pandehurit me iniciale B.SH, nga Prizreni, e cila masë do të llogaritet prej kohës së ndalimit me datë 16.02.2018, nga ora 08:50 minuta dhe do të zgjasë deri më datën 15.03.2018, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par.1 të KPRK-së.
Sepse me datën 16.02.2018 , i pandehuri me inicialet e lartpërmendura ka poseduar pa autorizim, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, substanca të dyshuar për narkotik të llojit marihuan, dhe atë në sasinë prej 103.77 gram, në atë mënyrë që sasia e cekur e narkotikut i gjendet në shtëpinë e tij të banimit në Prizren, dhe atë në një pjesë të oborrit, gjatë kontrollit – bastisjes të bërë nga zyrtar policor të Njësisë Rajonale për Trafikimin me Narkotikë në Prizren, të cilët paraprakisht kishin siguruar informatë se i njëjti merret me shitjen e substancave narkotike në afërsi të shkollave të mesme në Prizren, e po ashtu në shtëpinë e tij gjendet edhe një mulli për bluarjen e substancave narkotike dhe një revole, dy karikator dhe njëzet e tetë (28) fishek të kësaj revole. Andaj duke e pasur parasysh peshën e veprës penale e cila në rastin konkret është e rëndë, pasi që i pandehuri dyshohet se ka kryer veprime kundërligjore duke vepruar në dëm të vlerave të shoqërisë ku mbrohet jeta e njerëzve shëndeti i popullsisë e veçanërisht i të rinjve, duke e pasur parasysh se i njëjtin është i njohur për organet e drejtësisë, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit.