Zyra Rajonale e OSBE-së organizoi një punëtori për të diskutuar rolin e shoqërisë civile dhe mediave në përmirësimin e transparencës së gjykatave

Zyra Rajonale e OSBE-së organizoi një punëtori për të diskutuar rolin e shoqërisë civile dhe mediave në përmirësimin e transparencës së gjykatave

 Me 15 nëntor 2017 në Prizren, Zyra Rajonale e OSBE-së organizoi një punëtori për të diskutuar rolin e shoqërisë civile dhe mediave në përmirësimin e transparencës së gjykatave. Në takim morën pjesë 27 pjesëmarrës, në mesin e të cilëve ishin të pranishëm Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, përfaqësues të Odës së Avokatëve dhe përfaqësues nga radhët e monitoruesve të sistemi të drejtësisë e të shoqërisë civile. OSBE-ja përmes kësaj ngjarjeje, filloi një diskutim rreth transparencës së Gjykatës Themelore të Prizrenit. Punëtoria mblodhi së bashku përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në rajonin e Prizrenit dhe media të cilët janë të përfshirë në monitorimin e gjykatave dhe raportimit në njërën anë, dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë, nga ana tjetër, duke përfshirë edhe gjyqtarët, prokurorët, zëdhënësen e Gjykatës Themelore, si dhe përfaqësues tjerë të komunitetit ligjor nga rajoni, për të diskutuar rolin e mediave dhe transparencën në rritje të gjykatës, praktikat më të mira dhe raportimin kompetent dhe të saktë, si dhe sfidat dhe bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e raportimit të gjykatës. Ngjarja organizohet në kuadër të aktiviteteve që kanë për qëllim përmirësimin e reagimit institucional për mbrojtjen e të drejtave të individëve, të drejtat për qasje në drejtësi dhe llogaridhënien e institucioneve të drejtësisë.

OSBE-ja do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e saj për përafrimin e mëtejshëm të praktikave gjyqësore me standardet e njohura ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.