PRIZREN – 11.10.2017 – Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaj të pandehurit me iniciale A.H. e cila masë do të llogaritet prej datës së arrestimit 11.10.2017, dhe do të zgjasë deri më datën 11.11.2017.
I pandehuri me iniciale A.H. dyshohet që se paku gjatë vitit 2014, iu kanë mundësuar shumë migrantëve që të kalojnë kufijtë shtetëror dhe të hynë në shtete të ndryshme të Unionit Evropian pa i përfillur kushtet e domosdoshme ligjore për hyrje në ato shtete, me çmim të caktuar, e që për person, ishte nga 1800 euro deri në Wiene të Austrisë e deri në 3500 euro për shtetet më të largëta të Evropës. Pasi që i njëjti ka qenë në arrati që nga viti 2014 dhe ndaj të njëjtit nga organet e drejtësisë ka pasur fletë arrest për arrestimin e tij, duke e pasur parasysh se i njëjti vendqëndrimin e fundit e ka pasur jashtë Kosovës, kjo e shton dyshimin e bazuar se i njëjti mund të arratiset , dhe të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, dhe do të pamundësohet zhvillimi i rregullt i kësaj procedure, gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit.
Me këtë veprim i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par 1 i KPRK, dhe veprës penale kontrabandimi me migrant nga neni 170 par.1 të KPRK-së.