Nxënësit e shkollës ,,Emin Duraku,, vizituan Gjykatën Themelore në Prizren
Në kuadër të nismës “Gjykatë e Hapur”, të premten u organizua vizita e nxënësve të klasave të VI-ta, VII-ta dhe VIII-ta të SHFMU “Emin Duraku” të Prizrenit në Gjykatën Themelore. Vizita tematike “Njoftohu me gjykatën tënde” kishte për qëllim informimin e nxënësve rreth punës dhe shërbimeve që ofron Gjykata Themelore në Prizren dhe t’u mundësojë atyre të njihen për së afërmi me objektin e gjykatës.
Gjykata Themelore e Prizreni është gjykatë e hapur, e cila përpiqet t’i përfshijë në punën e saj të gjithë qytetarët e Prizrenit.
Në pjesën e parë të vizitës nxënësit në njërën nga sallat e gjykimit u pritën nga gjykatësi Artan Sejrani gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal dhe zëdhënsja Afërdita Kicaj, të shoqëruar nga praktikantët e Zyrës për Informim Publik.
Z. Sejrani prezantoi para nxënësve strukturën dhe punën e gjykatës, sfidat e punës dhe bashkëpunimin e gjykatës më qytetarët. Zëdhënësja Kicaj prezantoi punën që bënë zyra e informimit, mënyrat e komunikimit me qytetarë dhe mjetet e zhvilluara për krijimin e një lidhje më të mirë me qytetarët. Takimi vazhdoi me diskutim të hapur mes përfaqësuesve të gjykatës dhe nxënësve, të cilët ishin të interesuar për vështirësitë me të cilat ballafaqohen gjyqtarët gjatë punës së tyre, kriteret për tu bërë një gjyqtarë, si dhe nxënësit u interesuan për shqiptimin e burgimit të përjetshëm, etj.
Në pjesën e dytë të vizitës, nxënësit patën rastin të njoftohen për së afërmi me objektin e gjykatës dhe të shohin se cilat janë shërbimet që i ofron gjykata për qytetarët e Prizrenit, si duken sallat e seancave gjyqësore, ku dhe si operojnë departamentet brenda gjykatës.