PRIZREN, 06.02. 2019 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarve me iniciale A.T. nga fshati Duhël, Komuna e Suharekës dhe N.B. nga fshati Buda kovë, Komuna e Suharekës, për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 para.1. lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Të akuzuarit me iniciale A.T. dhe N.B. nga Komuna e Suharekës, gjykata i ka shpallur fajtor dhe i ka dënuar secilin veç e veç me dënimin me gjobë në shumën prej 500 (pesëqind ) euro, si dhe dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj.
Të akuzuarit janë të obliguar që të bëjnë kompensimin e dëmit ashtu që të dëmtuarit me iniciale F.Q. të ia kompozojnë shumën prej 100 (njëqind) euro.
Sepse me datën 29.10.2014, rrethe orës 11:00 në afërsi të restorantit “Giri” në qafë të Duhlës të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar – roje pylli, në Njësinë Ekonomike Caralevë në Drejtorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës në mënyrë të drejtë për drejtë kërkojnë para për vete me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që derisa i akuzuari i parë me iniciale A.T. ishte në detyrë të rojtarit në Njësinë Ekonomike Caralevë te vendi i quajtur rruga e Grejqevcit, F.Q. ka hasur duke dëmtuar pre dru me motor-sharrë, dhe ka kërkuar nga ai të vjen në restorantin ”Giri” në Qafë të Duhlës, pasi ka nevojë që të konsultohet edhe me koleg të tjerë rrethe fletë paraqitjes, me të arritur përball restorantit i afrohet i akuzuari i dytë me iniciale N.B. dhe i drejtohet me fjalët, “nëse ke para me na dhënë unë të fali nuk të shkruaj procesverbal për vjedhje” dhe i jep 30 minuta afat për të sjell parat, pasi nuk ia kishte caktuar shumën i dëmtuari me iniciale F.Q. ia jep 45 euro të akuzuarit të dytë me iniciale N.B., i cili fillimisht pranon këto para dhe i shkon në konsultime A.T. i cili ishte në automjet, dhe pastaj e hap dritaren dhe i gjuan parat duke kërkuar 100 euro për mosparaqitje të rastit pranë gjykatës, me ç ‘rast i dëmtuari me iniciale F.Q. pas gjysmë ore derisa të akuzuarit ishin duke qëndruar në restorantin “Benaf”, në Suharekë i sjell 100 euro dhe ia dorëzon të akuzuarit të dytë me iniciale N.B. i cili ka qenë në shoqëri me të akuzuarin me iniciale A.T.