PRIZREN – 09.01.2019 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale V.SH. nga fshati Hoqë e Qytetit, Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, sulm nga neni 187 para.3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, dhe veprës penale lëndim i lehtë trupor nga neni 188 parag.3 nën parag. 1 të KPRK-së. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 07.01.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 07.02.2019.
Nga shkresat e lëndës rrjedhë dyshim i bazuar se me datën 07.01.2019 rrethe orës 20:10 minuta, në fshatin Hoqe e Qytetit – Komuna e Prizrenit, saktësisht në shtëpinë e tij, i pandehuri me dashje e përdor forcën ndaj personit- bashkëshortes së tij dhe djalit të tij, pa pëlqimin e tyre, në atë mënyrë që pas ardhjes në shtëpi nga i pandehuri në gjendje të dehur, i njëjti duke bërtitur ka kërkuar nga bashkëshortja dhe djali i tij që të largohen nga shtëpia, dhe kur ata kishin dashur të dalin nga shtëpia, i pandehuri fillimisht e kishte sulmuar bashkëshorten ndërsa pas ndërhyrjes së djalit për të qetësuar situatën i njëjti e godet edhe ate me grusht.
Se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.