PRIZREN, 10.12. 2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarve me iniciale N.SH. ,D.B. ,M.S. dhe B.B. që të gjithë nga Prizreni, për shkak se kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje nga neni 428 para.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Të akuzuarit me iniciale N.SH ,D.B ,M.S , gjykata i ka shpallur fajtor dhe i ka dënuar secilin me dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak., si dhe dënimin me gjobë në shumën secilit nga 4.000 (katërmijë) euro, ndërsa i akuzuari me iniciale B.B. gjykata e ka dënuar me dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak si dhe dënimin me gjobë në shumën prej 5.000 (pesëmijë) euro. Pas shpalljes së aktgjykimit, mbrojtësit e të akuzuarve i propozuan gjykatës që dënimin me burgim ta zëvendësoj me dënim me gjobë, pasi që Kodi Penal në kuptim të nenit 47 e lejon që dënimi me burgim deri në 6 muaj mundë të zëvendësohet në dënim me gjobë. Gjykata e aprovoi propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve të lartë cekur dhe iu zëvendësua dënimi me burgim me dënim me gjobë.
Të akuzuarve me iniciale N.SH ,D.B ,M.S gjykata e zëvendëson dënimin me burgim në dënim me gjobë në shumën prej 8.000 (tetëmijë) euro, për të njëjtit gjykata ia shqiptoi dënimin UNIK me gjobë secilit në shumën prej 12 000 (dymbëdhjetëmijë) euro, ndërsa të akuzuarit me iniciale B.B. iu shqiptua dënimi UNIK me gjobë në shumën prej 13.000 (trembëdhjetëmijë)euro.
Sepse në vazhdimësi në intervale kohore të ndryshme prej datës 15.08.2016 deri më datën 10.11.2016, në bashkëveprim mes vete në cilësinë e personave zyrtar- policëve të Trafikut Rrugor Regjional në Prizren, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkojnë të marrin për vete ryshfet në të holla, duke vepruar në kuadër të autorizimeve zyrtare.