PRIZREN – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale M.B. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë në bashkëkryerje nga neni 179 para.1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së, dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 12.10.2018 prej orës 17:00 dhe do të zgjasë deri më datën 12.11.2018.
Sepse me datën 19.09.2018, rrethe orës 22:20 minuta, në Prizren tentojnë me dashje ti privojnë nga jeta persona të tjerë në mënyrë që në momentin kur i vërejnë të dëmtuarit me iniciale M.B-1, M.B-2 dhe Q.G. që ishin duke qarkulluar me automjetin e tyre, të pandehurit iniciale D.S ,K.S dhe M.B. u dalin përpara dhe i detyrojnë ta ngadalësojnë automjetin të cilët ishin të pajisur me armë zjarri, e të pandehurit me iniciale S.K. dhe E.E. ishin të pajisur me shufra metali të cilët i drejtohen automjetit në të cilin ishin të dëmtuarit dhe fillojnë ti sulmojnë duke gjuajtur me armë zjarri në drejtim të automjetit, të dëmtuarit dalin me shpejtësi nga automjeti dhe fillojnë të vrapojnë ndërsa të pandehurit vazhdojnë ti ndjekin dhe të gjuajnë në drejtim të dëmtuarve, me ç’rast nuk arrin ti lëndojnë, ndërsa një predhë e godet automjetin e të dëmtuarve, dhe disa predha godasin frigoriferin dhe xhamat e vitrinës të një marketi aty afër. Gjykata mendon se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është më se i domosdoshëm pasi që i njëjti është i njohur për organet e drejtësisë i cili është gjykuar për vepra të ndryshme penale i cili po të lihet në liri ekziston mundësia që i njëjti të ndikoj në bashkë kryesit të tjerë të cilët janë në arrati.