PRIZREN – 29.08.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurve me iniciale C.M., B.M., G.M., që të gjithë nga Mamusha, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të sulmit nga neni 187 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe D.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të sulmit nga neni 187 par.1. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 27.08.2018 nga ora 21:30 minuta dhe do të zgjasë deri më datën 27.09.2018.
Sepse me datën 27.08.2018 rrethe orës 21:00, në Mamushë të pandehurit me iniciale C.M.,AM, G.M., në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve në mes veti, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe problemeve pronësoro juridike me të dëmtuarin me iniciale D.M., të cilin e kanë edhe vëlla, pasi që fillimisht fjalosen, më pas e sulmojnë duke e goditur me grusht dhe shqelma nëpër pjesë të ndryshme të trupit, i cili për shkake të lëndimeve të pësuara ka kërkuar trajtim mjekësor pranë Spitalit Rajonal në Prizren. Gjithashtu i pandehuri me iniciale D.M., për shkak të mosmarrëveshjeve dhe problemeve lidhur me hapësirat e brendshme të shtëpisë, pa pëlqimin e të pandehurve B.M, C.M., dhe G.M., me dashje përdor forcën duke e sulmuar dhe kapur për fyti të dëmtuarin B.M., e më pastaj duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas gjykatës caktimi i paraburgimit është tani për tani i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 24 orëve, përmes kësaj gjykate, Gjykatës së Apelit në Prishtinë.