PRIZREN – 18.06.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale R.B. nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par.1. Masa e paraburgimit prej një (1) muaji do ti llogaritet prej kohës së arrestimit datë 14.06.2018, nga ora 11:00 dhe do të zgjasë deri me datën 14.07.2018.
Sepse me datën 14.06.2018, i pandehuri ka poseduar pa autorizim, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuan, dhe atë sasinë prej 719.74 gram, nga e cila sasi, sasia prej 445.93 gram, të vendosura në katër paketime të mbështjella në qese plastike, i janë gjetur nga zyrtarët policor gjatë kontrollit – bastisjes së bërë në lokalet e tij në Prizren, ndërsa në shtëpinë e banimit të njëjtit në Prizren, po ashtu gjatë ekzekutimit të urdhër kontrollit, i janë gjetur në një kavanoz substanca e dyshuar për narkotik, të llojit marihuan në peshë prej 59.61 gram, një qese plastike, me ngjyrë të zezë të mbushur me substancë të dyshuar për narkotikë të llojit marihuan në peshë prej 213.66 gram, si dhe një paketim në xhepin e xhaketës të njëjtit, në peshë prej 0.54 gram, në substancë të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuan, të cilën sasi të substancës së dyshuar për narkotikë, i njëjti e ka poseduar me qëllim të shitjes apo edhe shpërndarjes, informatë kjo e siguruar paraprakisht nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.