PRIZREN, 11.04. 2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit me iniciale M.S. nga fshati Mushtishtë, Komuna e Suharekës, dhe e ka shpallur fajtor për shkak se ka kryer veprën penale punimet ndërtimore të kundërligjshme nga neni 368 parag.5 të KPRK-së, dhe i ka shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj.
Gjyqtari gjykues duke aprovuar pëlqimin e të akuzuarit për zëvendësimin e dënimit me burgim në dënim me gjobë, në bazë të nenit 47 të KP, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve, i zëvendëson në dënimin me gjobë në shumën prej 2.500 euro.
Sepse me datën 20.09.2016 rrethe orës 17:30 minuta në Prizren, duke vepruar nga pakujdesia, si pronar i firmës “Mejdi Salihu B.I.”, nuk ndërmerr masa për sigurinë e punëtorit që është në kundërshtim me ligjin për siguri dhe shëndet të punës nr.04/L-161, dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve, në atë mënyrë pasi që firma e tij është kontraktuar për ti kryer punimet në fushën sportive në Prizren, i njëjti nuk i ndërmerr masat e duhura për ti përforcuar skelet metalike, në të cilat kishte qenë duke punuar i dëmtuari me iniciale B.K., si dhe nuk bënë sigurimin e helmetës në kokë, i cili për shkak të mos përforcimit të skeleve bie nga lartësia prej 7 metrave duke pësuar lëndime të rënda trupore të përshkruara si në akt ekspertimin e ekspertit mjeko ligjor.