PRIZREN – 26.03.2018 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale A.J, nga Rahoveci, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale prodhimi dhe vënia në qarkullim të artikujve të dëmshme ushqimore nga neni 267 par.2 të KPRK-së, dhe veprës penale të kanosjes nga neni 185 par. 3 të KPRK-së e cila masë do të llogaritet prej datës 23.03.2018, prej orës 16:00 dhe do të zgjasë deri më datën 23.04.2018.
Sepse me datën 12.09.2017, në terminalin Doganor në Prizren, me qëllim të shitjes, shet, ofron për shitje apo në ndonjë mënyrë tjetër vë në qarkullim artikuj ushqimor për të cilat i pandehuri ka ditur se janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve, në atë mënyrë që si person përgjegjës në kuadër të personit juridik me seli në Rahovec, ka importuar nga Belgjika mish gjedhi për përpunim, me afat të skaduar të përdorimit, sasinë prej 19.657 kg ( nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e shtatë), si dhe gjatë kontrollit në depon e tij në Rahovec, nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektorët e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, janë gjetur produkte të mishit të pulës me afat të skaduar të përdorimit në sasi prej 1.800 kg, (njëmijë e tetëqind ) kg, e të cilat kanë për qëllim shitjeje, apo të vënies në qarkullim e për të cilat ka qenë në dijeni se janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve, e në anën tjetër po ashtu në lidhje me publikim e këtij rasti, i pandehuri përmes telefonit të tij ka kanosur gazetarët. Duke i pasur parasysh karakteristikat e të pandehurit ku nga data bazë e të dhënave policore, rezulton se i njëjti ka një numër të veprave penale të regjistruara të natyrave të ndryshme, andaj është konstatim i gjykatës se caktimi i masës së paraburgimit ndaj të njëjtit është i bazuar dhe i arsyeshëm për sigurimin e prezencës dhe zhvillimin normal të rrjedhjes së procedurës penale.