Prizren – 20.02.2018 – Me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjyqtari Lumni Sallauka dekretohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Gjyqtari Sallauka ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Më poshtë po e japim një biografi të shkurtër për gjyqtarin Sallauka:
Lumni Sallauka ka punuar gjyqtar në departamentin e përgjithshëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit. Sallauka ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2003, kurse provimin e jurispodencës e kreu në vitin 2006. Ndërsa praktikën profesionale e mbajti tek Avokat Ilaz Kadolli nga viti 2003 deri në vitin 2004. Në vitin 2004-2006 ka ushtruar pozitën e zyrtarit sprovues në Shërbimin Sprovues të Kosovës. Në vitin 2006-2007 ka ushtruar detyrën e zyrtarit ligjor në Njësinë e Inspektimit Gjyqësor. Ndërkaq provimin pranues dhe trajtimin për gjyqtar e ka përfunduar në vitin 2010 në Institutin Gjyqësor të Kosovës. Studimet post diplomike (master) i ka kryer në vitin 2011, në drejtimin ,,Juridiko-Financiar,, pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës. Sallauka është bashkautor dhe autor i moduleve – programeve trajnuese ,,E drejta Familjare,, , ,,Drejtësis për Fëmijë-Aspekti Civil,, dhe ,,Juridiksioni dhe Kompetenca e Gjykatës Themelore-Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil,, , pranë Institutit Gjyqësor të Kosovës në Prishtinë, në kuadër të të cilit institucion që nga viti 2013, ai është angazhuar edhe si trajnues gjyqsor i lëndëve civile.Punës si gjyqtar e filloi në vitin 2010 në Gjykatën Komunale në Prizren. Nga një Janari i vitit 2013 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në departamentin e përgjithshëm të Prizrenit.