PRIZREN, 21.11. 2017 – Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarve:
I akuzuari me iniciale S.J. nga Dragashi, i cili akuzohet, se duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar të akuzuarit të dytë me iniciale N.S, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht. Andaj gjykata e ka shpallur fajtor për shkake se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 i KPRK-së, dhe i ka shqiptuar dënimin me burgim me kusht prej 1(një) viti, mirëpo dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet, nëse brenda periudhës prej dy vjetësh, nuk kryen vepër tjetër penale.
I akuzuari me iniciale N.S. akuzohej se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm. Andaj gjykata e ka shpallur fajtor për shkakë se ka kryer veprën penale uzurpim të pronës së paluajtshme, dhe i ka shqiptuar dënimin me burgim me kusht prej 6 (gjashtë) muaj i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse brenda periudhës prej dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale.
Të akuzuarit me iniciale B.H. dhe V.H. janë liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK-së pasi që nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.