PRIZREN, 27 prill 2017 – Gjykata Themelore e Prizrenit ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të akuzuarit me iniciale Sh.B. nga Suhareka dhe e ka shpallur fajtor për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nën par. 2.1.të KPK-së dhe i shqiptoi dënim me burgim efektin në kohëzgjatje prej pesë (5) muaj, me kërkesën e të akuzuarit dënimi me burgim prej pesë (5) muajve zëvendësohet me dënimin me gjobë në shumën prej 4ooo (katërmijë) euro, ndërsa për veprën penale cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë nga neni 222 par.1. lidhur me parag.2. të KPK-së gjykata e ka refuzuar akuzën sepse ekzistojnë rrethanat që e përjashtojnë ndjekjen penale.
Sepse në periodën kohore të vitit shkollor 2014 – 2015, dhe 2015-2016 në Suharekë në kohë të pacaktuar i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar Drejtor Komunal i Arsimit në Suharekë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për persona tjerë në atë mënyrë që punëson pa konkurs nëpër shkolla të ndryshme në komunën e Suharekës mësimdhënës, duke shkelur seriozisht të drejtat e personave tjerë në punësim.