Aktgjykimi në rastin Uka-Havolli
21 tetor 2016
Më 21 tetor, Gjykata Themelore e Prizrenit, e përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe gjyqtarit të Kosovës, ka nxjerrë aktgjykimin në lidhje me rastin e Nuhi Ukës, ish-Kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe të pandehurve të tjerë. Rasti ka të bëjë me uzurpimin e paligjshëm të pronës në pjesën historike të Prishtinës, ku ishte ngritur një ndërtesë moderne pa leje ndërtimi.
Nëntë të pandehurit janë akuzuar me një akuzë për Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, një akuzë për Shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, dy akuza për Legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, me tri akuza për Mashtrim, në bashkëkryerje, me tri akuza për Pushtim të paligjshëm të pronës së paluajtshme dhe me dy akuza për Krim të organizuar.
Trupi gjykues gjeti gjashtë të pandehurit fajtorë për kryerjen e veprave penale të mashtrimit, legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë dhe pushtimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme dhe i dënoi ata me një dënim unik prej dy vite në rastin e dy të pandehurve dhe një vit dhe 10 muaj në rastin e katër të tjerëve. Trupi gjykues vendosi të pezullojë ekzekutimin e dënimit për periudhën verifikuese prej 2 vitesh.
Tri akuza për lëshimin e vendimeve të paligjshme gjyqësore, shpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim ndaj Nuhi Ukës, Sanije Muçollit dhe Fehmi Havollit janë hedhur poshtë për shkak të ndryshimeve të ligjit penal të Kosovës pas 1 janarit 2013, që ka rezultuar me parashkrimin e akuzave.
Të gjithë të pandehurit janë liruar edhe nga akuzat e krimit të organizuar, për shkak të ndryshimit të Kodit Penal, në janar të vitit 2013.
Të ardhurat e paligjshme nga aktivitete kriminale janë konfiskuar.
Palët kanë të drejtë ankese kundër aktgjykimeve brenda 15 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit.