Prizren, 12 maj 2016 – Kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit z.Ymer Hoxha , ka pritur në takim Kryetarin e Gjykatës së Lezhës së bashku me stafin mbështetës .
Kryetari Hoxha në këtë takim i ka njoftuar me funksionimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, historikun e kësaj gjykate, procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj, mandatin e tyre, pastaj ndryshimet që kanë ndodhur në sistemin gjyqësor si pasojë e reformave, dhe sfidat me të cilat gjyqësori kosovar po përballet aktualisht.
“Pas reformave të sistemi gjyqësor, ndryshimet kanë qenë në tri dimensione, në aspektin e infrastrukturës ligjore, të strukturës organizative të gjyqësorit dhe në aspektin e bartësve të funksioneve gjyqësore”, ka bërë me dije kryetari Hoxha. Ndërkaq, ka shtuar se, “sa i përket efikasitetit, mund të themi se jemi gjykatë efikase, pasi jemi duke punuar në lëndë të vitit 2016”.
Në anën tjetër, kryetari i Gjykatës së Lezhës ka bërë me dije se procesit të reformave i është nënshtruar edhe sistemi gjyqësor në Shqipëri.